Departamenti i Kulturës - Qyteti i Shkupit
Departamenti i Kulturës i përket Sektorit të Shërbimeve Publike në Qytetin e Shkupit. Departamenti i Kulturës kryen punë lidhur me mbështetjen institucionale dhe financiare të institucioneve kulturore dhe projekteve me rëndësi për qytetin e Shkupit, si dhe organizimin e manifestimeve në fushën e kulturës me interes për Qytetin e Shkupit. Propozon aktivitete në fushën e veprimtarisë profesionale, amatore dhe rinore në këto fusha: artet skenike, artet muzikore, artet vizuale dhe arti i mediave të reja, veprimtaria botuese dhe bibliotekare, veprimtaria muzeore dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, bashkëpunimi ndërkombëtar. Dorëzon propozime projektesh për pjesëmarrje në thirrje publike ndërkombëtare nga fusha e kulturës, organizon dhe realizon projekte ndërkombëtare në kompetencë të Qytetit të Shkupit, propozon dhe përgatit programin për shënimin e ngjarjeve dhe personaliteteve me rëndësi për qytetin e Shkupit, përgatit vendimin për ngritjen, ruajtjen dhe mbrojtjen e përmendoreve dhe rregulloreve të tjera në kompetencë të Qytetit të Shkupit, si dhe inicimin dhe realizimin e procedurës për themelimin e institucioneve publike nga fusha e kulturës…
Institucionet publike dhe kulturore në kompetencë të Qytetit të Shkupit janë: Biblioteka e qytetit “Vëllezërit Miladinovci”, Qendra Kulturore-Informative – Shkup, Qendra Kulturore Rinore – Shkup, Muzeu i Qytetit të Shkupit, Salla Universale – Shkup, Kopshti Zoologjik – Shkup, Qendra Kulturore e Fëmijëve “Karposh” dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin” – Shkup.
Departamenti i Kulturës punon sipas një programi të parapërgatitur. Programi është një mekanizëm i rëndësishëm që mundëson ndërtimin e një skene dinamike kulturore që pasqyron energjinë e metropolit dhe forcon reputacionin e tij kulturor global. Në program përfshihen aktivitete që realizohen gjatë një viti kalendarik, përmes të cilave zbatohen kompetencat e Qytetit të Shkupit në fushën e kulturës dhe definohet interesi lokal në kulturë. Në të përfshihet financimi dhe puna e institucioneve publike të kulturës, themelues i të cilave është Qyteti i Shkupit, si dhe projekte që do të realizohen nga persona fizikë dhe juridikë në fushën e kulturës që veprojnë në territorin e qytetit të Shkupit, të cilët do të zgjidhen përmes thirrjeve publike ose procedurave të prokurimit publik.
Departamenti i Kulturës, përkatësisht Qyteti i Shkupit, realizon edhe interesin lokal në kulturë përmes sigurimit të mbështetjes institucionale dhe logjistike për aktivitetet që nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkomunal në fushën e kulturës me subjekte të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, vetëqeverisje lokale, organe kombëtare dhe organizata të tjera të ngjashme.
Një shembull i tillë është projekti evropian CreArt 3.0, përmes të cilit futen iniciativa në jetën kulturore të Shkupit në fushën e arteve vizuale, krijohen partneritete dhe shkëmbime të reja ndërkombëtare, dhe njëkohësisht mundësohet pjesëmarrja e artistëve dhe kuratorëve nga Shkupi në aktivitetet programore.
Një nga qëllimet strategjike të Departamentit të Kulturës dhe Qytetit të Shkupit është edhe realizimi i programit me aktivitete lidhur me titullin Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkupi 2028, me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e këtij titulli prestigjioz, me të cilin qyteti mund të përshpejtojë zhvillimin e tij ekonomik, social dhe urban.
Përmes Departamentit të Kulturës realizohen edhe investimet kapitale të Qytetit të Shkupit në kulturë, aktivitete ndërtimore dhe infrastrukturore dhe blerja e pajisjeve në institucionet publike të kulturës, themelues i të cilave është Qyteti i Shkupit, si dhe investime kapitale në kulturë që realizohen nga operatorë ekonomikë të zgjedhur përmes procedurave përkatëse.

