MUZEU I QYTETIT TË SHKUPIT

Muzeu i Qytetit të Shkupit është themeluar në vitin 1949, pas Luftës së Dytë Botërore, kur u emërua si Muzeu Popullor i Qytetit të Shkupit. Pas tërmetit katastrofik në Shkup dhe pas sanimit, në vitin 1971, Muzeu i Qytetit të Shkupit u vendos në ndërtesën e Stacionit të Vjetër Hekurudhor, e ndërtuar në vitin 1939 sipas projektit të arkitektit Velimir Gavriloviq. Ndërtesa, si Monument i Kulturës, u vendos nën status mbrojtjeje në vitin 1971. Sot, muzeu shtrihet në një sipërfaqe prej 4670 m², nga të cilat 1500 m² janë hapësirë ekspozuese. Në përbërje të muzeut janë edhe degët: Muzeu i Çarshisë së Vjetër të Shkupit – i vendosur në Suli An, monument kulture nga shekulli XIX, si dhe Muzeu Memorial i punëtorëve ilegalë për prodhimin e armëve gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

          Muzeu i Qytetit të Shkupit është një institucion kulturor që ka për qëllim të hulumtojë, mbledhë, ruajë, dokumentojë, mbrojë, prezantojë dhe publikojë materiale muzeore nga fusha e arkeologjisë, historisë, etnologjisë, historisë së artit dhe arkitekturës së qytetit të Shkupit dhe rrethinës së tij.

          Kompleksiteti i muzeut reflektohet përmes larmisë së tematikave që trajtohen nga departamentet profesionale: departamenti arkeologjik, historik, departamenti i etnologjisë, i historisë së artit dhe i arkitekturës.

          Numri i objekteve muzeore në Muzeun e Qytetit të Shkupit tejkalon 40.000 artefakte muzeore, nga të cilat një pjesë e madhe janë prezantuar dhe publikuar. Përveç koleksioneve ekzistuese muzeore, muzeu posedon edhe donacione nga fusha të ndryshme të kulturës.

          Struktura e muzeut përbëhet nga departamentet për përpunimin, ruajtjen dhe përdorimin e dokumentacionit për trashëgiminë kulturore të luajtshme, si dhe nga departamenti për edukim dhe shërbimin e guidave, si dhe për konservimin dhe restaurimin e materialit muzeor. Biblioteka e muzeut disponon një fond të pasur bibliotekar me gjithsej 7109 tituj, nga të cilët 400 tituj janë libra të rrallë dhe të vjetër që datojnë nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX.

          Veprimtaria botuese e muzeut paraqitet përmes një fondi të pasur katalogësh nga ekspozita të ndryshme artistike dhe tematike, si dhe disa botimeve monografike që prezantojnë historinë e pasur të qytetit të Shkupit, përmes publikimit të trashëgimisë së pasur arkeologjike, artit sakral mesjetar, jetës kulturore në qytet dhe arkitekturës së tij.

          Për 70 vite punë, muzeu ka marrë çmime, mirënjohje, pllaka përkujtimore dhe vlerësime.

Rr. “Shën Kirili dhe Metodi” pn, 1000 Shkup
Tel. +389 2 3115 369
https://museumskopje.mk

Scroll to Top